Rreth nesh app

Platforma Libra me zë (Audio Books) projekt që bashkojë shumë vullnetarë duke realizuar e jetësuar dëshirën dhe vullnetin e tyre. Dëshira e tyre ishte që një ditë leximi të jetë i mundur për të gjithë personat me të parë të dobësuar, personat e verbër por edhe për të gjithë ata që e kanë të pamundur leximin, që kanë vështirësi në të lexuar, sidomos nxënësit dhe studentët të cilëve edhe iu pamundësohet shkollimi.

Ideatorët e platformës Saranda Rexha dhe Egzon Bunjaku e filluan këtë rrugëtim por nuk mbetën të vetëm. Në bashkëpunim me të gjithë komunitetin dhe Organizatën Education Comes First u zhvillua platforma me mbështetjen e një granti të vogël nga D4D dhe Ambasadës Britaneze në Kosovë.
“Nuk thuhet kot se me gjëra të vogla mund të bëhet shumë”.

Në fillim librat incizoheshin me diktafon të cilët siguroheshin nga vullnetarët. Por, kualiteti i leximit nuk ishte në nivel të kënaqshëm dhe e bënte ndëgjimin e librave jo të këndshëm.
Me përkrahjen e Radio Kosova u mundësua që leximi i librave nga vullnetarët të realizohet në mënyrë profesionale. Hapësira kohore edhe pse e limituar mundësoi që librat e lexuar të editohen dhe të jenë në nivel të duhur të dëgjimit.
Platforma “Libra me zë” ka dy kategori: librat publik dhe privat. Në kategorinë privat kanë qasje personat e verbër dhe me të parë të dobësuar, ndërsa kategoria e librave publik është për të gjithë pjesën tjetër të komunitetit shqipfolës, kategoria kjo e cila nuk ka numër të madh të librave për arsye të mungesës së të drejtës autoriale për incizim të librave.

Duke u nisur nga kjo dhe kërkesat për zhvillim të platformës dhe pasurim të bibliotekës digjitale me libra dhe tituj të ri, ekipi synonte që mbulueshmëria e librave me zë të ketë shtrirje më të madhe sepse i njejti libër që lexohet për kategorinë privat mund të ndëgjohet edhe nga pjesa tjetër e komunitetit.
Për të zgjeruar idenë Education Comes First u bë pjesë e projektit për ngritje të fondeve “Akademia për Qëndrueshmëri” të implementuar nga Forumi për Iniciativë Qytetare dhe përkrahur nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Kampanja e cila zgjati 6 muaj u zhvillua me aktivitete të ndryshme për ngritjen e fondeve, një ndër to ishte edhe kampanja në platformën “Kosova Ideas”, ku pati përkrahje të madhe nga Kosova dhe Diaspora. Vullnetarë të shumtë iu bashkuan ekipit për të dhënë kontributin e tyre në forma të ndryshme. Një ndër vullnetarët më të palodhshme ishte edhe Doruntina Jakupi e cila bëri që kampanja të realizohet me sukses deri në përfundim. Studentë, gazetarë, aktorë të shumtë janë pjesë e ekipit për lexim të librave e disa nga shkrimtarët ofruan krijimtarinë e tyre për tu lexuar dhe plasuar në platformë.

Kampanja e cila rezultoi e suksesshme bëri që platforma “Libra me zë” të promovohet në media, shkolla dhe tek shoqëria civile. Me ngritjen e fondeve u bë e mundur që të zhvillohet aplikacioni për telefonat e mençur Android dhe IoS, duke iu mundësuar të gjithëve të dëgjojnë libra të cilat janë lexuar me zë nga vullnetarët e platformës.
Platforma digitale “Libra me zë” rëndësi të veçantë iu ka dhënë personave me shikim të dobësuar dhe personave të verbër që aplikacioni të jetë sa më i çasshëm.
Poashtu të gjithë komunitetit shqipfolës që nuk mund të lexojnë, ky aplikacion do të iu mundësojë të dëgjojnë librat me zë.
Ekipi i platformës “Libra me zë” do të lobojë për të siguruar të drejtat autoriale dhe ti ofrojë komunitetit shqipfolës tituj të ri të librave në gjuhën shqipe të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Biblioteka digjtale dhe zhvillimi i aplikacionit do të vazhdojnë të pasurohen me libra të lexuar në gjuhën shqipe.

Falenderojmë agjensionin SIMS Marketing Agency për krijimin e logos.